Secondary Adv

9-mujori, pagesat për koncesionet dhe PPP arritën në 100 mln euro

Qeveria ka disbursuar 9.61 miliardë lekë për kontratat koncesionare deri në shtator, me rritje krahasuar me një vit më parë dhe dominim të projekteve infrastrukturore.

Rritje e lehtë e shpenzimeve për koncesionet

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, pagesat për kontratat koncesionare dhe partneritetet publike–private (PPP) gjatë 9-mujorit të vitit 2025 arritën në 9.61 miliardë lekë, rreth 100 milionë euro, që përfaqësojnë 69% të planit vjetor. Vetëm në shtator u paguan 2.14 miliardë lekë, ose 22.3% e totalit të periudhës, ku pjesën më të madhe e zuri kontrata për “Rrugën e Arbrit” me rreth 1 miliard lekë, që përbën 47.1% të pagesave mujore.

 

Projektet infrastrukturore, zëri më i madh i pagesave

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, pagesat janë rritur me 289.5 milionë lekë ose 3.1%. Rritja vjen kryesisht nga dy kontrata infrastrukturore të mëdha: autostrada Milot–Morinë, me pagesa 277.8 milionë lekë më të larta, dhe rruga Porti i Jahteve – By Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës), me 171.9 milionë lekë më shumë. Sipas Ministrisë, rritja lidhet me respektimin e skedulit të pagesave të përcaktuara në modelet financiare të këtyre kontratave.

 

Rënie në disa projekte PPP arsimore

Për disa kontrata të tjera është vënë re rënie e disbursimeve, si projekti për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë, që përfshin ndërtimin dhe mirëmbajtjen e shkollave në zonat “Tirana 1” dhe “Tirana 4”. Pagesat për këtë kontratë gjatë 9-mujorit 2025 kanë qenë 347.8 milionë lekë më të ulëta se një vit më parë, çka lidhet me ritmin e zbatimit të planit financiar, ndonëse vlera vjetore mbetet e ngjashme me atë të 2024-ës.

 

Plani vjetor dhe perspektiva për 2025

Për vitin e plotë 2025, fondet buxhetore për koncesionet dhe PPP-të arrijnë në 13.93 miliardë lekë, nga të cilat 8.34 miliardë janë për shpenzime korrente dhe 5.59 miliardë për investime. Kjo shumë është 4.77% më e lartë se pagesat faktike të vitit 2024, që ishin 13.29 miliardë lekë, duke reflektuar rritje prej rreth 634.6 milionë lekësh.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat